Dokumenti për punësimin e romëve, ashkalinjëve dhe egjiptianëve


Dokumenti për punësimin e romëve, ashkalinjëve dhe egjiptianëve

Projekti KOSINT 2020 ka publikuar dhe prezantuar Dokumentin “Analizë Teknike dhe Rekomandimet për Politika për Promovimin e Punësimit të Komuniteteve Rom, Ashkali dhe Egjiptian në Kosovë”

Në këtë ngjarje ishin të pranishëm organizata të shoqërisë civile lokale dhe ndërkombëtare, dhe përfaqësues të institucioneve qeveritare lokale dhe qendrore.

Sipas dokumentit, situata e komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian në tregun e punës është më e keqe se situata e të gjitha komuniteteve tjera që jetojnë në Kosovë, ku brengat janë edhe për nivelin e edhe për cilësinë e punësimit. Kjo është rezultat i kombinimit të niveleve të arsimimit/shkathtësive relativisht të ulëta dhe një gamë e gjerë e faktorëve tjerë, duke përfshirë mungesën e qasjes në informata dhe kapital shoqëror i cili do të mund ta lehtësonte angazhimin e tyre në punë (cilësore), dhe në diskriminim në tregun e punës. Qëllimi i këtij studimi ka qenë identifikimi i intervenimeve të përshtatshme dhe të zbatueshme në politika të cilat do të mund tu ndihmonin burrave dhe grave rome, ashkali dhe egjiptiane në mënyrë të përshtatshme të kenë qasje në mundësi punësimi dhe në veçanti në mundësi të mira të punësimit.

Korniza e politikave të Kosovës për punësim të pakicave, dhe të këtyre komuniteteve në veçanti, është relativisht e avancuar në krahasim me shumë shtete Evropiane. Kuotat për përfaqësimin e pakicave në punësim në sektorin publik sipas Ligjit 03/L-149 mbi Shërbimin Civil në Republikën e Kosovës është një iniciativë në këtë aspekt. Përpjekje të shtuara për ta zbatuar këtë ligj në mënyrë të plotë, si edhe specifikimi i kuotës për komunitetet rom, ashkali dhe egjiptian do të mund të ndihmonte në promovimin e qasjes së këtyre komuniteteve për arritjen e mundësive për punësim me orar të plotë në të cilin zakonisht nuk kanë qasje. Një dokument tjetër me rëndësi i politikave është Strategjia për Përfshirjen e Komuniteteve Rom, Ashkali dhe Egjiptian në Shoqërinë Kosovare (2017-2021) e cila parasheh një varg aktivitetesh për ta adresuar punësimin e këtyre komuniteteve, kryesisht për ta rritur pjesëmarrjen e këtyre komuniteteve në MATP. Përvoja e shteteve tjera tregon se zbatimi në praktikë i strategjive të ngjashme mund të vuajë nga koordinimi i dobët i politikave, mungesa e përkthimit të këtyre dokumenteve në prioritete për politika të punësimit dhe/apo të rezultojnë në masa të përshtatura të cilat i plotësojnë nevojat e këtyre komuniteteve. Rrjedhimisht, rekomandohet që përpjekjet duhet të fokusohen kryesish në përfshirjen e çështjes së punësimit të romëve, ashkalive dhe egjiptianëve në procese të politikë-bërjes për punësim. Në veçanti, rekomandohet që përfshirja e anëtarëve të komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian të trajtohet në Politikën e radhës për Punësim dhe Trajnim Profesional (2019-2021).

Dokumenti i plotë është i publikuar në: http://kosint2020.net/sq/publikimet/raportet/