Programet e bursave për nxënësit rom, ashkali dhe egjiptian në arsimin e mesëm të lartë në Kosovë


Programet e bursave për nxënësit rom, ashkali dhe egjiptian në arsimin e mesëm të lartë në Kosovë

Prishtinë, me 22 shkurt, është bërë prezantimi i raportit tematik “Programet e bursave për nxënësit rom, ashkali dhe egjiptian në arsimin e mesëm të lartë në Kosovë”. Pjesëmarrës në këtë prezentim ishin zyrtarë të MASHT, zyrtarë të nivelit komunal dhe shoqëria civile që ndihmojnë në përmirësimin e përfshirjes në arsim të nxënësve rom, ashkali dhe egjiptian.

Sipas Planit Strategjik të Arsimit në Kosovë 2017-2021 - Rezultati 1.4 pritet që përmes bursave të ar­rihet përfshirja e fëmijëve rom, ashkali dhe egjiptianë në arsimin e mesëm të ulët dhe të mesëm të lartë do të rritet me 20%. Plani Strategjik i Arsimit në Kosovë 2017-2021 thotë se: në arsimin e mesëm të lartë, ku pjesëmarrja e këtyre komuniteteve është shumë e ulët, përveç lehtësimit të regjistrimit, duhet të merret parasysh mundësia e sigurimit të bursave për arsimim.

Sipas Raportit të Vlerësimit për Zbatimin e Strategjisë për Përfshirjen e Komuniteteve Rom dhe Ashkali në Shoqërinë Kosovare në vitin 2017, vetëm 65% e fëmijëve janë të përfshirë në arsimin e mesëm të ulët, (një në pesë) të moshës së shkollës së mesme të ulët janë plotësisht jashtë shkollës.

Në vitin shkollor 2017/18, numri i nxënësve rom, ashkali dhe egjiptianë në arsimin fillor dhe të mesëm të ulët është 5.693, që paraqet një rritje prej 2.7% në krahasim me vitin shkollor 2016/17, kur ishin 5.542 fëmijë, prej të cilëve 1,276 ishin rom, 3,398 ashkali dhe 868 ishin egjiptianë. Numri i përgjithshëm i nxënësve në arsimin fillor dhe të mesëm të ulët në institucionet publike dhe private, duke përfshirë institucionet serbe, në vitin shkollor 2016 / 17 ishte 255.093.

Përderisa, në arsimin e mesëm të lartë, më pak se një e treta (30%) e fëmijëve të moshës përkatëse ndjekin arsimin e mesëm të lartë, ndërsa shumica e tyre (60%) janë tërësisht jashtë shkollës. Sipas Statistikave të Arsimit në Kosovë 2017-2018 - Sistemi i Menaxhimit të Informatave në Arsim, janë 156 nxënës rom, 255 nxënës ashkali, dhe 142 nxënës egjiptianë në arsimin e mesëm të lartë në Kosovë. Në total janë 553 nxënës nga komunitetet rom, ashkali dhe egjiptiane të cilët ndjekin arsimin e mesëm të lartë në Kosovë në gjuhën shqipe dhe 16 nxënës që ndjekin arsimin e mesëm të lartë në shkollat serbe.

Në 2018, 785 nxënës rom, ashkali dhe egjiptianë në arsimin e mesëm të lartë në Kosovë iu përg­jigjën thirrjes për bursa të publikuara nga MASHT. Nga 785 nxënës rom, ashkali dhe egjiptianë në arsimin e mesëm të lartë të cilët kanë aplikuar, 600 prej tyre iu janë ndarë bursa dhe 185 ishin të pasuksesshëm. Në përqindje do të thotë se nga të gjithë aplikuesit 76.4 për qind janë shpërblyer dhe 23.6 për qind ishin të pasuksesshëm.

Nga 600 fituesit e bursave 313 ishin femra dhe 287 ishin meshkuj. Në përqindje, 52 për qind e bur­save u janë ndarë nxënëseve dhe 47.2 për qind nxënësve. Sipas komuniteteve nga 600 fitues të bursave, 209 ishin rom, 196 egjiptianë dhe 195 ashkali. Në përqindje, 34,9 për qind të bursave u janë ndarë studentëve rom, 32,6 për qind atyre ashkali dhe 23,5 për qind janë ndarë për studentët egjiptianë. Shumica e bursave u janë ndarë studentëve të cilët jetojnë në Gjakovë, Prizren, Ferizaj dhe Istog. Vetëm këto katër komuna përbëjnë 50.1 për qind të bursës totale të ndarë.

Programi aktual i bursave i udhëhequr nga MASHT dhe i mbështetur nga KFOS, VoRAE, HEKS, REF po përmbush objektivin e përcaktuar në PSAK 2017-2021 për përfshirjen e nxënësve rom, ashkali dhe egjiptianë në arsimin e mesëm të lartë. Secili nxënës bursist rom, ashkali dhe egjiptian në arsimin e mesëm të lartë merr 30 euro në muaj, 300 euro në vit. Akterët raportojnë se kjo përkrahje financiare për nxënësit rom, ashkali dhe egjiptianë në arsimin e mesëm të lartë ka pasur ndikim në rënien e braktisjes së shkollimit.

Mbështetja me bursa për nxënësit rom, ashkali dhe egjiptianë në arsimin e mesëm të lartë arrin vlerën prej 180,000.00 euro në vit. Programi i udhëhequr nga MASHT-in dhe mbështe­tur nga donatorët ka rezultuar të jetë shumë efektiv. Programi ka filluar në 2014/2015 dhe ende është aktiv. Akterët dhe donatorët janë në favor që një program i tillë duhet të vazhdojë edhe në vitet në vijim.

Raportin e plotë gjeni të publikuar në linkun më poshtë:

http://kosint2020.net/site/assets/files/1420/programet_e_bursave_per_nxenesit_rom-_ashkali_dhe_egjiptian_ne_arsimin_e_mesem_te_larte_ne_kosove.pdf