Raport i fokusuar në efektivitetin e EPRBM-ve te fëmijët romë, ashkali dhe egjiptian


Raport i fokusuar në efektivitetin e EPRBM-ve te fëmijët romë, ashkali dhe egjiptian

Me 19 nëntor, është bërë prezantimi i raportit tematik në kuadër të projektit KOSINT 2020 “Raport i fokusuar në efektivitetin e EPRBM-ve te fëmijët romë, ashkali dhe egjiptian”

Qëllimi i këtij raporti është vlerësimi i efektivitetit të EPRBM-ve në nivel shkollor, komunal dhe nacional, me një fokus të veçantë në efektivitetin e tyre te fëmijët e komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian.

E drejta për shkollim ëshë një nga të drejtat themelore të njeriut. Megjithatë, braktisja e shkollimit dhe mosregjistrimi në shkollë vazhdon të mbetet në nivelin shqetësues, sidomos në mesin nxënësve rom, ashkali dhe egjiptian. Për të adresuar këtë problem, MAShT ka themeluar Ekipet për parandalim dhe reagim kundër braktisjes dhe mosregjistrimit të nxënësve në arsimin parauniversitar (EPRBM).

Për të kuptuar më thellë efektivitetin e EPRBM-gjatë muajit maj dhe qershor 2019 është realizuar një vlerësim në shkolla dhe komuna të ndryshme, si dhe në MAShT.

DKA-të dhe shkollat kanë deklaruar që këto ekipe janë tashmë të themeluara, por, funksionalizimi praktik i këtyre ekipeve nuk është në nivelin e duhur. Si rrjedhojë, rastet të cilat identifikohen, kryesisht trajtohen jashtë mekanizmave të EPRBM-ve.

Identifikimi i rasteve të braktisjes së shkollimit kryesisht bëhet nga mësimdhënësit në shkolla. Identifikimin e tyre gjithashtu e bëjnë edhe OShC-të të cilat merren me çështjet e komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian dhe me braktisje të shkollimit. Kryesisht, OShC-të arrijnë të identifikojnë rastet e braktisjes nga raportet e notimit, ku nxënësit që kanë braktisur shkollimin raportohen si të panotuar. Problematike mbetet çështja e raportimit, referimit dhe trajtimit të këtyre rasteve.

Nga informatat e mbledhura në terren rezulton që ekzistojnë raste të cilët nuk raportohen për braktisjen e shkollimit. Po ashtu, ekzistojnë raste të cilët raportohen me vonesë për braktisjen e shkollimit. Si pasojë, këto raste kryesisht përfundojnë me humbje të vitit shkollor. Ndërsa, identifikimi i rasteve të paregjistruara në shkollë kryesisht bëhet nga OShC-të.

Përkundër ekzistimit të një moduli të vecantë në SMIA, i quajtur Sistemi i Paralajmërimit të Hershëm (SPH), regjistrimi i ratseve në këtë sistem është tejet minimal dhe nuk mund të ofrohet pasqyrë mbi gjendjen e mosregjistrimit në shkollë, braktisjes së shkollimit dhe rrezikut për braktisje të shkollimit.

Raportin e plotë mund ta gjeni në linkun më poshtë:

http://kosint2020.net/site/assets/files/1464/raport_i_fokusuar_ne_efektivitetin_e_eprbm-ve_te_femijet_rome-_ashkali_dhe_egjiptian-1.pdf