Kosint 2020 Fros group, web faqe, web dizajn


KOSINT 2020

Iniciativa e Kosovës për Përfshirje

Çfarë është KOSINT 2020

Ky projekt është një partneritet mes katër organizatave të shoqërisë civile të angazhuara në gjithëpërfshirjen e pjesëtarëve të komuniteteve rom, ashkali, egjiptian në fushat e arsimit, punësimit dhe mirëqenies sociale. Financuar nga Roma Initiatives Office (RIO) në kuadër të Fondacionit për Shoqëri të Hapur (OSF), projekti synon përmirësimin e qasjes së komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian në arsim, punësim dhe mirëqenie sociale, duke kontribuar në përmbushjen e zotimeve të Qeverisë së Kosovës përmes inkurajimit të pjesëmarrjes së organizatave të shoqërisë civile në monitorimin e reformave sektoriale, në zhvillimin e politikave & planifikimit buxhetor dhe në avokim.

Si vepron KOSINT 2020

Projekti synon të ngrisë kapacitetet e shoqërisë civile për monitorimin e reformave sektoriale, të sigurojë implementimin e duhur të tyre, dhe të ndikojë në hartimin e politikave në tri fushat e lartcekura sa u përket këtyre tri komuniteteve, duke pasur parasysh zotimet në Strategjinë për Përfshirjen e Komuniteteve Rom, Ashkali, Egjiptian në Shoqërinë Kosovare 2020. Këtë do ta bëjë përmes tre komponenteve të mëposhtme:

  1. Ndërtimi i kapaciteteve të organizatave të shoqërisë civile për pjesëmarrje në monitorimin e reformave sektoriale, në zhvillimin e politikave dhe në planifikim buxhetor;
  2. Monitorimi i reformave sektoriale në arsim, punësim dhe mirëqenie sociale, në kuadër të zotimeve të qeverisë për përfshirjen e komuniteteve rom, ashkali, egjiptian;
  3. Zhvillimi i politikave dhe avokimi përmes ndikimit të organizatave të shoqërisë civile në politikat e reformave të arsimit, punësimit dhe mirëqenies sociale, në interes të komuniteteve rom, ashkali dhe e egjiptian.

Baza e veprimtarisë së Projektit

Pjesë thelbësore e KOSINT 2020 është krijimi i një rrjeti të organizatave të shoqërisë civile, të cilat kontribojnë në gjithëpërfshirjen e komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian në sferat e arsimit, punësimit dhe mirëqenies sociale në Kosovë. Ky Rrjet do të zgjerojë impaktin e secilës organizatë dhe do të garantojë shtrirje më të gjerë të aktiviteteve në drejtim të monitorimit dhe avokimit për çështje të komuniteteve. Anëtarët e Rrjetit të Projektit do të luajnë rol të rëndësishëm në proceset e vendimmarrjes në aspektin e harmonizimit të vazhdueshëm të aktiviteteve të Projektit me nevojat në zhvillim të komuniteteve të lartcekura.

Ndikimi në reforma sektoriale

KOSINT 2020, përmes Rrjetit të vet (dhe jo vetëm), do të zhvillojë takime dhe aktivitete me bazë të gjerë të pjesëmarrjes së shoqërisë civile, ku do të diskutohen çështje të interesit të përgjithshëm për komunitetet rom, ashkali, egjiptian. Fokusi kryesor do të jetë në reformat sektoriale që kanë të bëjnë me përfshirjen e këtyre komuniteteve në jetën shoqërore në Kosovë. Rezultetet do të shërbejnë si bazë e qëndrueshme për nismat avokuese që do të ndërmerren në kuadër të hartimit të politikave të ndryshme lidhur me komunitetet e lartcekura.