Shkresë zyrtare nga OSHC-të për Kryeministrin e Kosovës në lidhje me gjendjen e komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian


Shkresë zyrtare nga OSHC-të për Kryeministrin e Kosovës në lidhje me gjendjen e komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian

Prishtinë 02 Korrik 2020, Lëvizja KOSINT, e përfaqësuar nga Syri i Vizionit (SIV), Balkan Sunflowers Kosova (BSFK), Roma and Ashkalia Documentation Center (RADC) dhe Voice of Roma, Ashkali and Egyptians (VORAE), e përkrahur edhe nga organizata tjera të shoqërisë civile të cilat angazhohen për të drejtat, gjithëpërfshirjen dhe avancimin e pozitës së komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian në Kosovë, në nivel qendror dhe lokal, i janë drejtuar Zyrës së Kryeministrit me një shkresë për gjendjen e komuniteteve në fjalë gjatë pandemisë dhe nevojës për gjithëpërfshirjen e tyre, me theks të veçantë në Fondin për Rimëkëmbje Ekonomike.

Me anë të kësaj shkrese, këto organizata iu drejtuan Kryeministrit të Republikës së Kosovës për gjendjen e rëndë të tanishme të komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian gjatë pandemisë COVID- 19 dhe nevojat e tyre emergjente për t’u ndihmuar/përfshirë financiarisht në Fondin e paraparë për Rimëkëmbje Ekonomike. Meqenëse këto komunitete janë pjesë e grupeve më të cenueshme në vend, ato do të duhej të kishin edhe vëmendjen e veçantë si dhe i tërë procesi të bëhej në bashkërendim me organizatat e shoqërisë civile të cilat merren me të drejtat e komuniteteve. Kur jemi te komunitetet, një vëmendje e veçantë do të duhej t’i kushtohej edhe masave për mbështetje të punësimit/rritjen e punësimit te grupet e punëtorëve të komuniteteve me gjasa më të vogla për punësim.

Marrë parasysh statistikat e siguruara nga Ministria e Administratës Publike në dhjetor të vitit 2018, në 56 institucione publike kanë qenë të punësuar 30,635 persona, nga të cilët vetëm 113 pjesëtarë të komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian, apo 0.36 për qind. Kërkojmë nga institucionet përkatëse të marrin masat konkrete, fillimisht për të respektuar kuotën e paraparë me Kushtetutën e Republikës se Kosovës - Neni 61 [Përfaqësimi në Punësim në Institucionet Publike] dhe Ligjin për Shërbim Civil Nr. 03/L-149 - Neni 11 [Pranimi në Shërbimin Civil], Ligji Nr. 03/L-212 i Punës, si dhe Rregulloren Nr. 04/2010 për procedurat e përfaqësimit të drejtë dhe proporcional të komuniteteve jo shumicë.

Hap tjetër i Kryeministrit në të mirë të komuniteteve në Kosovë do të ishte edhe përfshirja e organizatave të shoqërisë civile të cilat merren me të drejtat e komuniteteve në të gjitha grupet punuese ku do të diskutohet mirëqenia e komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian.

Për më tepër, rrjetet e organizatave të përmendura më sipër bashkërisht dhe OJQ-të në mënyrë vetanake kanë ndihmuar familjet e këtyre komuniteteve gjatë fazës emergjente me ndihma esenciale dhe këndvështrimet e rekomandimet e tyre për zbatimin e Fondit në terren do të jenë thelbësore.

Kërkojmë nga Kryeministri i Republikës së Kosovës zotimin për transparencë në këtë proces e njëherit edhe përfshirjen e organizatave të shoqërisë civile, në veçanti në trajtimin e komuniteteve.

ër fund, ne anëtarët e organizatave të shoqërisë civile po ashtu kërkojmë nga Kryeministri të merr hapat e nevojshëm për llogaridhënie nga Ministritë e linjave në raport me trajtimin e komuniteteve, veçanërisht me Fondin e paraparë për Rimëkëmbje si dhe të caktohet një takim në mes tij [Kryeministrit të Kosovës] dhe organizatave të shoqërisë civile për të shprehur qëndrimet e dyanshme sa i përket Fondit për Rimëkëmbje Ekonomike si dhe për të ritheksuar gatishmërinë e OSHC-ve për bashkëpunim në çështjet me interes të komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian.