Me 5 dhjetor, është mbajtur një tryezë diskutimi mbi çështjen e buxhetimit për komunitetet rom, ashkali dhe egjiptian në Kosovë.
Në këtë tryezë u diskutuan disa pika që mund të ndihmojnë në buxhetim më të mirë për komunitete rom, ashkali dhe egjiptian.
Plani i veprimit i strategjisë për përfshirjen e komuniteteve rom dhe ashkali në shoqërinë kosovare 2017-2021 prezanton një listë të plotë të rezultateve të pritshme. Nga një rishikim i planit të veprimit, rezulton se jo të gjithë aktivitetet e përcaktuara në ‘Planin e Veprimit’ janë të mbuluara me alokime buxhetore. Disa mbështeten në donatorë (projekte bilaterale), disa në projektet e OJQve dhe disa mbeten për tu mbështetur nga buxheti i shtetit nëpërmjet programeve buxhetore të ministrive dhe komunave të ndryshme.
Vërehet në disa raste se buxheti i planifikuar nuk arrin të shpenzohet tërësisht, ndaj dhe shumë shërbime, subvencione, transferta dhe investime mbeten të parealizuara, kjo për arsye të ndryshme, përfshi dhe mungesën e kapacitetit zbatues të institucioneve, por edhe si rrjedhojë e prioriteteve politike gjatë zbatimit të buxhetit.
Shpesh janë disa ministri që buxhetojnë/shpenzojnë për të njëjtin qëllim, por vetëm një ministri është e mandatuar dhe program buxhetor në përputhje me strategjinë kombëtare (planin e veprimit). Për shëmbull, programi i “Ndërtimit dhe renovimit të shtëpive” realisht përveç Ministrisë së Mjedisit, mbulohet edhe nga Ministria e Pushtetit Vendor, Ministria e Mirëqënies Sociale, Zyra e Komuniteteve, etj. Ndërkohë secila komunë ka buxhet me vete për ndërtim dhe renovim të shtëpive.
Mbledhja e informacionit për shpenzimet buxhetore për efekt raportimi ende realizohet në formë manuale, si rezultat i kontakteve dhe vjeljes së informacionit nga shumë organizata buxhetore, përfshi dhe komunat. Mbledhja e të dhënave buxhetore kërkon një koordinim efikas midis ministrive, por veçanërisht me 38 komunat.
Nuk ka asnjë tregues specifik për komunitetet rom, ashkali dhe egjiptian në Kornizën Afat-mesme të Shpenzimeve (KAMSH) 2020-2022!
Është për tu vlerësuar, që organizatat buxhetore, përfshi disa ministri dhe disa komuna kanë alokime buxhetore konkrete për vitin 2020, për përfshirjen e komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian. Buxhetet janë planifikuar brenda ‘programet buxhetore’, por edhe në ‘projektet kapitale’, por është e vështirë të identifikohen si të tilla.
Rekomandimet:
- Mbështetja e plotë buxhetore e “Planit të veprimit” për përfshirjen e komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian me buxhet nëpërmjet rishikimit të “programeve buxhetore” dhe/ose “projekteve kapitale” në KAMSH 2021-2023.
- Sistemi i planifikimit të buxhetit dhe alokimit të buxhetit në bazën e “Programeve buxhetore” dhe ‘nën-programeve’ (KAMSH) duhet të mundësojë:
- Krijimin e ‘nën-programeve’ buxhetore specifike në funksion të kategorisë përfituese – komuniteteve Rom, Ashkali dhe Egjiptian, të paktën në programet buxhetore që ndikojnë në sektorët e: arsimit, punësimit, banimit, shëndetit, mirëqënies sociale, rikthimit, ndihmës juridike, etj.;
- Rekomandohet detajimi dhe vecimi i ‘Projekteve Kapitale’ ekzistuese në “Projekte Kapitale” të reja – që janë specifike për përfituesit e komuniteteve Rom, Ashkali dhe Egjiptian.
- Të mundësohet hapja e “kodeve të reja ekonomike’ për të identifikuar buxhetet që planifikohen në ‘Planin e zotimit’ për përfituesit e komuniteteve Rom, Ashkali dhe Egjiptian.
- Organizatat buxhetore duhet të paraqesin në programet ose nën-programet e tyre buxhetore të paktën një (1) objektiv, i cili është i lidhur me strategjinë dhe “Planin e veprimit” për përfshirjen e Romëve dhe Ashkali, 2017-2021, kryesisht në programet buxhetore në sektorët më të rëndësishëm si: arsimit, punësimit, banimit, shëndetit, mirëqënies sociale, rikthimit, ndihmës juridike, etj.;
- Të përmirësohet hartimi I “Programeve buxhetore” të orientuar drejt rezultateve dhe performances,
- Të caktohen dhe të përfshihen “tregugesit e performancës” specifik për përfituesit e komuniteteve Rom, Ashkali dhe Egjiptian në “programet buxhetore” kryesore. Kjo do të ndihmojë për të monitoruar dhe vlerësuar performancën dhe efiçensën buxhetore.